Telegrafi

Bugajski: Vuçiq dikur propagandist i Millosheviqit tani i Putinit, minimi i rolit të tij eliminon ndikimin rus në Ballkan

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski duke ia kujtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq se ka qenë vartës i kriminelit Sllobodan Millosheviq, thotë se tashmë është shndërruar në propagandist të Vladmir Putinit.

Bugajski duke folur për median malazeze RTV Gradska, ka theksuar se një nga mënyrat për të eliminuar ndikimin rus është minimi i rolit të Vuçiqit si destabilizues i Ballkanit Perëndimor.

“Vuçiq ka qenë propagandist i Millosheviqit, tani është i Putinit. Besoj se strategjia e tij është që të përpiqet ta vonojë sa më shumë këtë proces, të marrë sa më shumë lëshime në fusha të tjera nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mbajtur mbështetjen ruse për të penguar antarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë për të dekurajuar pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën”, tha Bugajski, përcjell Telegrafi.

I pyetur se si është e mundur që Vuçiq të perceptohet njëkohësisht nga Putin dhe përfaqësuesit amerikanë si partner, ai u përgjigj se ka iluzione të caktuara për presidentin serb.

“Nëse dikush shkakton më shumë telashe, atëherë ai merr më shumë vëmendje dhe pastaj merr më shumë lëshime. Vuçiq ka mësuar të luajë atë lojë me Perëndimin, veçanërisht me Bashkimin Evropian, por mendoj se kjo është fundi. Vjen një moment kur e shihni se Vuçiq është një forcë kaq subversive dhe shkatërruese në rajon”, shton ai.

Sipas Bugajskit, partnerët perëndimorë duhet të fillojnë të bëjnë presion mbi Vuçiqin.

“Ka shumë gjëra nga të cilat ai varet, duke përfshirë financimet nga Perëndimi, paratë nga Bashkimi Evropian, të cilat mund të reduktohen, mund t’i vendosin embargo nëse nuk i plotëson disa standarde që duhet të përmbushë”, theksoi Bugajski.

Në fund, ai u shpreh se politika serbe po kthehet në mesjetë.

“Kam ndjesinë se politika serbe po kthehet në mesjetë – po shkojnë shumë prapa në perceptimin e identitetit, të drejtave të njeriut, lirive individuale. Kjo, për mendimin tim, nuk është diversitet. Mendoj se është një hap prapa, një lloj uniformiteti. Do të ketë më shumë presion për të eliminuar ndikimin rus në rajon. Dhe një nga mënyrat për të eliminuar atë është minimi i rolit të Vuçiqit si destabilizues rajonal, gjë që ai fatkeqësisht është”, përfundoi ai. /Telegrafi/