Telegrafi

Bugajski, shef i këshilltarëve të Pacollit

Ngjashëm me një mision diplomatik ekspertësh, ky ekip në krye me, Janusz Bugajskin, sipas Pacollit, do të përgatisë strategjinë diplomatike dhe politike dhe do të angazhohet në implementimin e programit të AKR-së.

Sipas Pacollit, Bugajski është shtylla kryesore e AKR-së për politikat dhe strategjitë e jashtme të AKR-së, e cila është pjesë përbërëse e projektit tonë dhe e cila do të vazhdoj në të ardhmen edhe ne dimensionet institucionale, duke shtuar se Kosova duhet të filloj njëherë e përgjithmonë veprimin e qartë diplomatik të bazuar në një strategji të mirëfilltë duke ndërtuar marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e botës, duke krijuar një diplomaci funksionale e cila do të gjejë mekanizmin e hapjes së dyerve të diplomacisë botëror për Kosovën.

Ai tha se nëse AKR-ja do të arrijë të formojë qeverinë pas zgjedhjeve, do të fillojë menjëherë hapjen e zyrave diplomatike jashtë vendit, pa marrë parasysh definimin ose jo të statusit.

Kurse Bugajski, drejtor për Evropën Lindore në Qendrën për Studime Strategjike (CSIS), tha se ndihej shumë i lumtur që do të shërbej si këshilltar për çështje ndërkombëtare i Pacollit dhe do të udhëheqës ekipin ndërkombëtar të tij që do të ndihmojë në zhvillimin e raporteve ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas Bugajskit, “AKR-ja në krye me z. Pacolli, ka një plan të mirë dhe një strategji të mirë për të siguruar të ardhme të suksesshme për Kosovën në përgjithësi”, duke shtuar se, “statusi është një pengesë në rrugën e zhvillimit të Kosovës”, por, siç u shpreh ai, “nëse nuk do të fillohet ndërtimi i rrugës pas statusit, kur pengesa të tejkalohet, nuk do të ketë më rrugë andaj ne po fillojmë ta ndërtojmë atë rrugë”.

Bugajski tha se do të angazhohet për nxitjen e investimeve të jashtme, në lobimin e çështjes së Kosovës dhe në ngritjen e imazhit të saj në botë, e veçanërisht ndërtimin dhe avancimin e mëtutjeshme të partneritetit mes SHBA-ve dhe Kosovës.

Pa marr parasysh rezultatin e zgjedhjeve, sipas tij, Pacolli dhe AKR-ja do të kontribuojnë për Kosovën në një afat të gjatë. “Këtu nuk është qëllimi vetëm për të fituar zgjedhjet, por të punohet aktivisht për Kosovën”.

Por, Bugajski beson fuqimisht se Pacolli është personi i duhur që mund ta bartë zhvillimin e Kosovës. “Njëzet vjet jam angazhuar në ndihmesën e demokracive të reja, ky është vazhdim i misionit tim në Kosovë”. Sipas tij, edhe para se të definohet statusi, Kosova ka mundësi të hap misione dhe zyra diplomatike në vendet perëndimore.