Site icon Telegrafi

​Bugajski: Putin do ta heqë qafe Vuçiqin në momentin kur nuk është i dëgjueshëm

Rusia po e përdor Serbinë dhe presidenti Vladimir Putin do ta heqë qafe Aleksandar Vuçiqin në momentin kur nuk është i dëgjueshëm për të.

Kështu ka theksuar eksperti për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski në emisionin “Voyage”, duke shtuar se Rusia ka qenë gjithmonë e interesuar për Ballkanin Perëndimor.

“Do të thosha që Rusia po e përdor Serbinë, po ashtu po e përdorin njëra-tjetrën ashtu si [Sllobodan] Millosheviqi dhe [Boris] Jelcini në vitet e 90-ta. [Vladimir] Putini dhe [Aleksandar] Vuçiqi po e shfrytëzojnë njëri-tjetrin për ta zgjedhuar ndikimin e tyre, e në rastin e Serbisë tentojnë të krijojnë një botë mini-serbe, ngjashëm me atë ‘Ruski Mir’ [Paqja Ruse], përtej ‘Srpski Svet’ [Bota Serbe] që është një ekuacion për serbët në Ballkan”, ka thënë Bugajski në televizionin publik.

“Edhe Kosova është në pjesë e këtij barazimi, ku i vetmi problem për Vuçiqin është se Putin është shumë më i fuqishëm se ç’është ai. Putini është ai që do ta shfrytëzojë më shumë Vuçiqin për përfitime të tilla dhe do ta heqë qafe në momentin kur më nuk është i dobishëm për të”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se në këtë kohë, Rusia është e angazhuar në politikat e imperializmit.

“Rusia ka qenë gjithmonë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Ballkani është i rëndësishëm nga ana strategjike, sepse jep qasje në pjesë të tjera të Evropës dhe krijon aleanca të ndryshme. Rusia mund t’i përdorë këto ndaj fuqive të tjera në Evropë dhe në këtë kohë Rusia është e angazhuar në politikat e imperializmit, duke e shfrytëzuar Ballkanin për ta zgjeruar fuqinë e vet, të kufizojë zgjerimin e NATO-s, BE-së dhe të njëjtën kohë të krijojë probleme për Shtetet e Bashkuara, potencialisht si shpërqendrim në atë siç është duke e bërë në Ukrainë”, thekson ai.

Analisti Bugajski ka shtuar se gjendja aktuale në Ballkan është ideale për Kremlinin.

“Për Rusinë kjo është një situatë ideale, pra skenari kishte për të qenë për Serbinë një aleat i përafërt, por i dominuar, i cili kontrollon shumicën e Ballkanit Perëndimor dhe vendet tjera të neutralizohen. Këto vende që janë pjesë të NATO-s të mos kundërshtojnë politikat e Rusisë dhe të janë shumë të varura dhe të neutralizohen ndaj ndikimit serb, pra kjo është situata ideale për Kremlinin”, ka përfunduar Bugajski.

Në këtë emision, ai ka folur edhe për marrëdhëniet e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij serb Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version