Gianluggi Buffon po mendon ta shtyjë pensionimin e tij edhe për një vit.
Të dielën, portieri legjendar i Juventusit, Gigi Buffon, do të festojë 40-vjetorin e lindjes, por edhe pse vitet peshojnë shumë në paraqitjen e tij në fushën e blertë, “gardani” bardhezi nuk dëshiron të heqë dorë.
Në një intervistë për mediat italian, ai u shpreh se është i hapur për ta rinovuar edhe një sezon tjetër kontratën.
“Së shpejti do të takohem me Agnellin dhe do të flas për të ardhmen time. Do të më pëlqente të luaja akoma, por vendimin do ta marr pasi të flas me shoqërinë.”
Buffon ndoshta nuk dëshiron të heqë dorë, sepse në lojë është rekordi i Maldinit, si futbollisti me më shumë ndeshje në Serinë A.
Edhe sikur të luajë në të gjitha takimet e mbetura të sezonit, portieri i Juves nuk mund ta arrijë këtë rekord, ndaj i duhet edhe një vit si protagonist mes shtyllave.
Zgjidhja mund të jetë edhe alternimi me portierin polak Szczesny, të cilin Buffon e vlerëson maksimalisht, sidomos nëse Juventusi do të arrijë të mbrojë titullin kampion.
Por çfarë mendon legjenda e futbollit italian për të ardhmen, pasi të varë dorezat në gozhdë?
“I kam kërkuar një këshillë Marcello Lippit. Më tha se duhet të bëj një vit pushim. Nuk dua të bëhem trajner i ndonjë klubi, ndoshta mund të drejtoj ndonjë kombëtare. Kjo s’do të thotë që po kandidoj për postin e trajnerit të Italisë”, ka thënë Buffon.