Portieri i Juventusit dhe kombëtares italiane bëhet personi i katërt, që ka luajtur 600 ndeshje në garën më të lartë të futbollit italian.
Këtë pikë referimi, Gianluigi Buffon e ka arritur në ndeshjen e fundit, në fushën e Chievo, ku të tijtë fituan 2-1.
38-vjeçari bëhet kësisoj lojtari i katërt, që bashkohet me “klubin 600”, duke iu bashkuar sërës së Paolo Maldini, Francesco Totti dhe Javier Zanetti. Rekordin në këtë drejtim e mban aktualisht ish-mbrojtësi i majtë i Milanit, me 647 paraqitje në Seria A, nën emrin e tij.
Ish-lojtari i Interit dhe Argjentinës, Javier Zanetti, pozicionohet në vendin e dytë, me 615 ndeshje, ndërsa heroi aktual i Romës, Francesco Totti, ka bërë 607 paraqitje dhe ka të ngjarë ta përfundojë sezonin mbi ish-yllin nga “San Siro”.
Ai e filloi karrierën me Parmën, duke bërë debutimin e tij në Seria A vetëm 17 vjeç, kundër Milanit, më 19 nëntor 1995.
Me këtë skuadër luajti 168 ndeshje në elitën e futbollit italian, para se të lëvizte drejt Torinos, për një transferim rekord botëror të portierëve, në vitin 2001, 33 milionë funte.
Mbrëmjen e së mërkurës së kaluar, Buffon ka bërë 100 paraqitje në Ligën e Kampionëve, si pjesë e Juventusit.