Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njoftoi të enjten se greva e përgjithshme është duke u zhvilluar, dhe është shtrirë në të gjitha nivelet e shkollave dhe në administratat komunale.
Sipas tyre, greva në tërë vendin po zhvillohet pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore.
Në komunikatën për media të BSPK-së thuhet se nuk do të tërhiqen nga greva pasi “është joligjore – dhe ligji për grevën detyron të punësuarin të bëhet grevist e të hidhet në grevë”.
“Është ligji ai i cili të punësuarin e detyron të përdorë dhe të organizojë grevën si mjetin e fundit të presionit sindikal sa herë që dështojnë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit me mjete të tjera ligjore. Dhe të punësuarit grevistë i shtjerrën të gjitha mjetet e presionit sindikal dhe gjatë këtij rrugëtimi edhe u shpërfillën dhe nuk u morën e nuk u pranuan seriozisht kërkesat e tyre të arsyeshme e ligjore”.
“Dhe po ligji është ai që mund t’i thërrasë në tërheqje të punësuarit grevistë, dhe kjo arrihet vetëm e vetëm atëherë kur Partnerët Social, këtë rast Qeveria dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ulen në tavolinën e dialogimit social dhe e gjejnë zgjidhjen e duhur dhe rrugën e duhur për plotësimin e kërkesave të të punësuarve grevistë”.
BSPK-ja në fund tha se është në pritje të hapjes së dialogut të mirëfilltë social midis partnerëve socialë, “ashtu si e do rregulli dhe si e thotë ligji”. /Telegrafi/