Telegrafi

BSPK: Punëtorët po shkelen në të gjithë sektorët

“Problemet e theksuara të punëtorëve janë procesi i privatizimit, mos dhënia e 20 për qindëshit për punëtorët nga ndërmarrjet e privatizuara, ligji i punës, etj, tha kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi.

Ai nuk la pa kritikuar edhe qeverinë e Kosovës për trajtimin që janë duke jua bërë punëtorëve që punojnë në sektorin publik,duke mos ja rritur pagat.

“Punëtorët në sektorin publik me të drejtë kërkojnë rritje të pagave dhe përmirësimin e kushteve të tjera si sigurinë në punë, mbrojtjen shëndetësore, etj. Këto kushte duhet të plotësohen për arsye se inflacioni sipas shifrave zyrtare është diku rreth 13.5 për qind kurse sipas shënimeve tona ai është mbi 25 për qind. Kjo në mënyrë direkte ndikon në kushtet e qytetarëve dhe punëtorëve të Kosovës”, tha Arifi.

Sipas tij, qeverisë i është bërë me dije se nëse nuk i përmbush obligimet ndaj punëtorëve, janë të detyruar të ndërmarrin hapa tjerë.

“Kaluan dy muaj që nga mbajtja e protestës së 1 majit ku kërkesat i janë drejtuar qeverisë, por për fat të keq deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë hap që të bisedohet për zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilat janë të grumbulluara”, ka pohuar ai.  /Telegrafi/