Telegrafi

BSPK: Nesër protestohet

Gjatë kësaj konference, drejtuesit e BSPK-së shpalosën agjendën e protestës së nesërme të punëtorëve për të kërkuar zgjidhjen e kërkesave të tyre, si dhe për t’u solidarizuar me aktivitet e Konfederatës Sindikale Evropiane (ETUC), që do të organizohen protesta në katër qendra Evropiane si: Berlin, Bruksel, Madrid dhe Pragë.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës dhe nënkryetari i BSPK-së Xhafer Xhaferi tha se protesta do të mbahet në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 13:00 dhe protestuesit do të defilojnë nga rruga “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Skënderbeu”.

“Motoja e ETUC-ut është “Luftoje krizën, njeriu prioritet”, kurse për situatën tonë do të mund të plotësohej edhe me kërkesat tona: Punë e dinjitetshme! Duam dialog të mirëfilltë social!”, tha Xhaferi.

Edhe kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se kanë marrë konfirmimin e shumë sindikatave që do të marrin pjesë dhe do ta mbështesin këtë protestë.

“Edhe nëse numri i protestuesve do të jetë simbolik, ne dimë që këto kërkesa gjithsesi duhet përmbushur nga ana e Qeverisë”, tha Arifi, duke shtuar se i kanë dhënë mjaft kohë Qeverisë që t’i përmbushë këto kërkesa dhe sipas tij, ka pasur vend që disa prej tyre qysh moti të jenë të realizuara.

Kërkesat kryesore të BSPK-së për këtë protestë janë që të ketë dialog të mirëfilltë social, të miratohet ligji i punës, privatizimi i ndërmarrjeve të bëhet në bazë të analizave të gjithanshme, të krijohet fondi i sigurimit social dhe të eliminohet ekonomia informale. /Telegrafi/