Telegrafi

BSPK kundër ngritjes se pagave të deputetëve

Sipas rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa “këto kalkulime për ngritje të pagave për deputetët janë bërë duke u mbështetur në kursimet që janë siguruar nga disa linja buxhetore”.

Ky propozim për ngritje të pagave të deputetëve është një veprim i ngutshëm, kur dihet që një numër i madh i të punësuarve ballafaqohen me probleme të ndryshme për shkak të pagave të ulëta. Andaj, me këto kursime është dashur të zgjidhen të paktën disa nga kërkesat e punëtorëve, e jo deputetët menjëherë të kërkojnë ngritje pagash dhe privilegje që edhe ashtu i kanë të shumta.

Derisa udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve bëjnë gara në mes veti se cili po i bën pagat më të larta, në anën tjetër shërbyesit civil, punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, energjetikës, administratës, judikaturës, minatorët etj, ballafaqohen me probleme të ndryshme për shkak të pagave të ulëta dhe standardit të ulët që mbretëron në Kosovë. Pastaj një numër i madh i punëtorëve largohen nga puna si pasojë e procesit të privatizimit.

Institucionet e Kosovës më tepër duhet të shqetësohen për hallet e punëtorëve dhe qytetarëve. Ato duhet të brengosen për varfërinë dhe papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë. Ato duhet të brengosen për të drejtat e punëtorëve dhe t’i zgjidh ato. Ato duhet të shqetësohen që nuk është duke funksionuar dialogu social mes partnerëve.

Deputetët e Kosovës është dashur të mendojnë mirë për një veprim të tillë, e jo të merren vetëm me zgjedhjen e problemeve të tyre përmes taksave të qytetarëve dhe punëtorëve të Kosovës.

Deputetët përfaqësojnë popullin dhe interesat e tyre. Ata duhet të punojnë për popullin. Kjo rritje e pagave për veten e tyre nuk po e dëshmon përkushtimin e tyre ndaj popullit.

BSPK-ja iu bën thirrje edhe njëherë institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës që urgjentisht të merren me zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve, në të kundërtën do t’i përdor të gjitha mjetet e saja sindikale për të gjetur ndonjë zgjidhje për realizmin e kërkesave të punëtorëve të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar sot nga Zyra për informim e BSPK-së.