“Institucionet përgjegjëse nuk respektojnë marrëveshjet e arritura e të nënshkruara, sikur që është rasti me moszbatimin e Kontratës Kolektive në nivel vendi dhe të Kontratave sektoriale. Ligji i Punës, i cili po aplikohet aktualisht në Kosovë është një ligj shumë i mangët, ku lëmi i marrëdhënies së punës rregullohet vetëm me 26 nene”, është shprehur Haxhi Arifi,kryetar i BSPK. Këto komente ai i bëri në tryezën me temë “Diskutime për ligjin e punës”, të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), nlu munguan përfaqësuesit e MPMS-se dhe të Zyrës së kryeministrit.
Në këtë tryezë, po ashtu u vendos që konkluzionet e nxjerra nga komisioni i BSPK-së të adresohen më tej në Komisionin parlamentar, ku më datën 25 qershor, do të ketë një debat për Ligjin e Punës.
Kryetari i BSPK-së,poashtu tha se e drejta për punë është diçka që shkon edhe përtej ekzistencës, prandaj ajo është e lidhur edhe me dinjitetin.
“Me krijimin e shtetit, po dalin në pah edhe shumë pakënaqësi sociale si diskriminimi në punë, problemet e ndryshme nga marrëdhëniet e punës, mungesa e nivelit të sigurisë në punë, mosrespektimi dhe shkelja drastike e të drejtave të punonjësve që lidhen me punën dhe rezultatet e punës së tyre”,tha Airifi.
Nexhat Shatri nga Zyra ligjore e Presidencës të Kosovës tha se Projektligji për punën, i cili do të debatohet në Kuvend ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet e punës në sektorin privat, e jo edhe në atë civil, ku përfshihen 70 përqind e të punësuarve. Prandaj, sipas tij, Projektligji mund të quhet si kontratë kolektive e sektorit privat.
Ndërsa, Adil Fetahu, ekspert në këtë lëmi, tha se Ligji i ri i punës ka një qasje të re të rregullimit të marrëdhënieve në punë, duke filluar prej themelimit e deri te shkëputja e marrëdhënies, të drejtave dhe përgjegjësive në punë. /Telegrafi/