Telegrafi

BSPK kërcënon Mustafën me protesta për rritje pagash

Ende pa filluar punën mirë si kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa është kërcënuar me protesta nga sindikalistët për shkak të deklaratave të tij se nuk do të ketë rritje të pagave më 2015. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), janë ndjerë të zhgënjyer me deklaratat e Mustafës.

“Ndonëse nga shërbyesit civilë të Kosovës pritej me padurim ngritja e pagave për vitin e ardhshëm prej 25 për qind që ishte premtuar nga ish Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tani Zëvendëskryeministër, BSPK ndjehet e zhgënjyer me deklaratën e Kryeministrit të porsazgjedhur të Kosovës Isa Mustafa se kjo ngritje nuk do të ndodhë”, thekson deklarata për media e BSPK-së.

BSPK-ja konsideron se mos respektimi i premtimit për ngritjen e pagave për shërbyesit civilë është një shpërfillje eklatante ndaj kësaj kategorie punëtorësh.

Nëse nuk do të respektohet premtimi i dhënë, atëherë BSPK do t’i shqyrtoj edhe variantet e lejueshme të veprimit sindikal për realizimin e të drejtave që u përkasin. /Telegrafi/