Site icon Telegrafi

BSPK: Kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm – zgjidhja është përmbushja e kërkesave

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka reaguar pasi Ministria e Financave, kanë kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tyre në Facebook, BSPK, ka thënë se kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm dhe aspak i mire.

“Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mire”.

Lexo po ashtu Ndërprerja e rrogave për grevistët, MF publikon komunikimin e radhës mes këshillit grevistë dhe zv.sekretarit të saj

“Duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë”, thuhet në reagim.

BSPK thekson se të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë, është gabim shumë i madh.

Sipas tyre, Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut prej nga duhet të dilet me zgjidhjen e duhur.

“Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”, thotë BSPK./Telegrafi/

Exit mobile version