Telegrafi

BSPK akuzon: Qeveria zgjodhi njeriun e korruptuar që abuzoi 120 mijë euro

"Jemi tepër të zhgënjyer me vendimet e institucioneve të Kosovës. Kjo për shkak se dje Kuvendi votoi zgjedhjen e Bordit Kosovar të Privatizimit, pas përzgjedhjes nga qeveria e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përzgjedhur njerëz të korruptuar në Bordin e AKP-së, siç është rasti me Bahri Shabanin", është thënë në konferencën e mbajtur për shtyp të mërkuren nga BSPK-ja.

BSPK-ja me kohë ia ka tërhequr vërejtjen qeverisë së Kosovës dhe ka njoftuar se nuk bën të zgjedhen njerëz në bord, tek të cilët punëtorët e kanë humbur besimin dhe i kanë lënë mijëra punëtorë në rrugë, në kohën kur ai i ka përfaqësuar interesat e punëtorëve.

"Të zgjedhet personi në fjalë në cilësinë e “ekspertit”, kjo nuk do koment. Qeveria ka pasur mundësi që të nominojë ekspert të ndryshëm që e njohin mirë fushën e Ekonomisë dhe Privatizimit si, Muhamet Mustafa, Musa Limani etj", tha Arifi.

Akuzat në drejtim të Bahri Shabanit vijojnë më tej duke thënë se është ai, i cili i ka sjell në kollaps punëtorisë Kosovare.

"Atëherë kur ishte pjesëmarrës në bord, është dashur ti mbrojë interesat e punëtorëve. Dhe ai këtë nuk e ka bërë dhe në emër të punëtorëve që kanë mbetur në rrugë dhe i ka keqpërdorur mjetet e 20 përqindëshit në vlerë prej 20 mijë euro. Tërë dëmi që ai i ka shkaktuar BSPK-së me keqmenaxhim dhe me përfitime personale, duke marrë kredi në emër të BSPK-së, në bazë të Auditimit që është bërë dhe që lënda është në Prokurori, kap shifrën mbi 100 mijë euro".

BSPK-ja ka shprehur pakënaqësinë dhe mllefin e saj për një vendim të tillë, pasi sipas saj kjo po bëhet për interesa të individëve të caktuar.

"BSPK-ja do ta shqyrtojë mundësinë se a do të jetë pjesë e këtij Bordi a po jo, në organet vendimmarrëse". /Telegrafi/