Telegrafi

BSH rishikon mundësinë e uljes së normës së interesit

Pas rritjes tri herë brenda vitit 2007, me synim shtrenjtimin e kredisë dhe rritjen e interesave për depozitat në lek, Banka e Shqipërisë duket se do të ndjekë kursin e bankave homologe qendrore.

Aktualisht, sistemi financiar në botë është duke përjetuar momentet më të vështira që prej viteve ‘30, shoqëruar me falimentimin e disa institucioneve kredituese, ndërsa qeveritë në botë po marrin masat për të reduktuar shkallën e përhapjes së rrezikut.

BSH do të shikojë reagimin e bankave qendrore në lidhje me interesat për monedhat e tyre, e më pas do të vendosë për rritjen ose uljen e tyre. Por reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ana e tetë bankave më të mëdha në botë.

Ato kanë vendosur njëherësh, rast ky i paprecedent, që të ulin me 0.50 për qind normën bazë të interesit. Kështu, të gjitha bankat qendrore, me anë të një veprimi të paparë ndonjëherë, kanë ulur normat bazë të interesit me 0.5 për qind.

Vendimi është marrë dje, por mësohet se të martën që vjen parashikohet një takim i rangut të lartë botëror, ku çështje diskutimi do të jetë kriza financiare.