Site icon Telegrafi

BSH: Ekonomia shqiptare po ngadalësohet, zbret në 3.55 për qind

Banka e Shqipërisë (BSH) paralajmëron se rritja ekonomike mund të jetë ngadalësuar më tej në tremujorin e katërt të vitit. Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka vëren se të dhënat e disponueshme tregojnë se rritja e prodhimit kombëtarë për fundit mund të ketë zbritur poshtë nivelit 3.55 për qind që shënoi në tremujorin e tretë.

Banka e bazon këtë vlerësim në dy tregues. I pari është rritja më e ulët e investimeve. Sipas INSTAT, ritmi i investimeve nisi të ngadalësohet që në tremujorin e tretë të 2017-së, kur rritja e tyre zbriti në 3.8 për qind nga 13 për qind që ishte në gjysmën e parë të vitit.

Banka vlerëson se kjo tendencë ka vazhduar edhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ku edhe investimet e Qeverisë kanë qenë më të ulëta se e njëjta periudhë e 2016-ës duke dhënë kështu një efekt më të ulët në rritjen e prodhimit kombëtar.

Treguesi i dytë, që sipas bankës sugjeron ngadalësimin e rritjes ekonomike, është thellimi i deficitit tregtar, pasi importet që Shqipëria blen jashtë janë rritur më shumë se eksportet që i shet botës.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar deficiti tregtar u thellua me 90 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-ës duke rënduar më shumë mbi prodhimin e brendshëm bruto.

Për tremujorët e parë të vitit të kaluar prodhimi kombëtar u zgjerua me 3.87 për qind. Instat pritet të publikojë shifrën e rritjes për tremujorin e katërt në muajin mars. Por nëse vlerësimet e Bankës së Shqipërisë do të rezultojnë të vërteta, atëherë rritja ekonomike për gjithë vitin e kaluar do të ulet më tej, poshtë parashikimeve të qeverisë dhe FMN për një rritje prej 3.9 për qind. /Top Channel

Exit mobile version