Telegrafi

Brzezinski: Duhet të respektohet e drejta e vetëvendosjes

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Brzezinski ka thënë se e drejta për vetëvendosje duhet të respektohet në fund të fundit. “Problemi i vërtetë nuk është çështja abstrakte e pavarësisë, por çështja e kohës. Dhe kjo është çështja me të cilën po përballet komuniteti ndërkombëtar tani”, u shpreh ai.
Lidhur me pretendimin rus se Kosova mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, Brzezinski është shprehur se, nuk ka dyshim që Rusia do ta shfrytëzojë këtë për të krijuar kushte diku tjetër, për të cilat Rusia do të thoshte se bazohen në precedente të krijuara nga komuniteti ndërkombëtar. “Mendoj se është argument që nuk qëndron, por nuk mund të injorohet pavarësisht se është i gabuar”, tha ai.

Ish-diplomati po ashtu ka thënë se Amerika duhet të punojë me Evropën perëndimore sa i përket statusit të Kosovës, sepse, sipas tij, ky nuk mund të jetë vetëm vendim amerikan, duhet të jetë qëndrim kolektiv nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. /VoA/