Këngëtari i muzikës rok, Bryan Adams, ka kërkuar falje pas një deklarate të publikuar në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga coronavirusi.
Duke qenë se COVID-19 për herë të parë u paraqit në Kinë, 60-vjeçari shprehu frustrimin e tij për mos fillimin e turneut muzikor duke e zbrazur shfryrjen e tij pikërisht ndaj kinezëve.
“Falë disave që ushqehen me lakuriqë, shitësve të kafshëve në treg të lagësht, maskarenjve lakmitarë që prodhojnë viruse, e gjithë bota është bllokuar”, ishte një pjesë e shkëputur e postimit të tij.
Shumëkush i ka interpretuar komentet e Adams si anti-aziatike apo anti-kineze, madje ka pasur edhe të tillë që i kanë quajtur raciste. Nga ana tjetër, ai është lavdëruar nga disa organizata të të drejtave të kafshëve. Sidoqoftë, muzikanti ka kërkuar falje.
“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ofenduar nga postimi im i djeshëm (e hënë). Nuk ka arsyetim, unë thjesht doja të reagoja për këto mizori të tmerrshme ndaj kafshëve në këto tregje të lagështa që mund të jenë burim i virusit dhe që ta promovoja veganizmin”.
“Kam dashuri për të gjithë njerëzit dhe mendimet e mia janë me të gjithë ata që përballen me pandeminë anekënd botës”, ka thënë Adams. /Telegrafi/