Site icon Telegrafi

Bruto-produkti vendor shënon rritje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e parë 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

BPV-ja në TM1 të vitit 2016 shënon rritje reale për 3.8 për qind në krahasim me TM1 të vitit 2015. Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: hotelet dhe restorantet me 14.0 për qind; ndërtimtaria me 8.2 për qind; shërbimet e tjera me 3.5 për qind; transporti dhe magazinimi me 3.3 për qind; tregtia me shumicë dhe pakicë 3.1 për qind; furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave me 2.4 për qind; aktivitetetet financiare dhe të sigurimit 2.2 për qind; dhe të tjerat me një rritje më të vogël, transmeton Koha.net.

Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: industrisë nxjerrëse (8.1 për qind); afarizmit me pasuri të patundshme (4.0 për qind); administrimit publik (2.2 për qind).

BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 22.1 për qind; importin e mallrave dhe shërbimeve me 13.0 për qind; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe Institucionet Jopërfituese në Shërbimin e Ekonomive Shtëpiake (IJPSHESH) 5.3 për qind; eksportin e mallrave dhe shërbimeve 0.6 për qind; si dhe në shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 0.9 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015./Telegrafi/

Exit mobile version