Gjatë pauzës në koncertin e tij në Auburn Hills të Michiganit, Bruno Mars e ka befasuar publikun kur ka thënë se do t’i dhurojë një milion dollarë për t’i ndihmuar banorët e qytetit Flint, të cilët janë ekspozuar ndaj ndikimit të plumbit në ujin e pijes.
Këngëtari e ka ndalur spektaklin për ta bërë publik këtë vendim bamirës të tij.
“I jam shumë falënderues publikut në Michigan që më mbështet në këtë qëllim. Sfidat me të cilat përballen banorët e Flintit zgjasin me vite dhe është me rëndësi që të mos i harrojmë vëllezërit dhe motrat tona që janë goditur nga kjo katastrofë”.
“Si njerëz, në veçanti si amerikanë, duhet të jemi të bashkuar dhe të përpiqemi që diçka e këtillë të mos ndodhë më”, ka deklaruar Mars.
Problemet me ujin e pijes në qytetin Flint kanë nisur nga viti 2014 kur më shumë se 100.000 banorë ishin ekspozuar ndaj përqendrimit të lartë të plumbit në ujë. /Telegrafi/