Telegrafi

Bruno Fernandes i përgjigjet lajmeve që e lidhnin me një kalim në Arabinë Saudite

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka insistuar se ai është i lumtur në klub përkundër raportimeve që e lidhnin atë me një kalim në Arabinë Saudite.

Fernandes kishte tërhequr interesim nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), pronarët e klubeve saudite. Ani pse ai është kapiten i klubit, paraqitjet dhe karakteri i mesfushorit është kritikuar shpeshherë gjatë vitit të kaluar.

Sidoqoftë, 29-vjeçari i ka ‘hedhur në ujë’ të gjitha raportimet se ai do të largohet nga “Old Trafford”.

Lexo po ashtu Griezmann drejt kalimit në Ligën Premier, gjiganti anglez gati t’i ofrojë pagë trefish më të lartë se Atletico Madridi

Që kur Cristiano Ronaldo iu bashkua Al-Nassr në janar, shumë emra të mëdhenj i janë bashkuar projektit të Arabisë Saudite. Benzema, Mane, Mahrez dhe Neymar që të gjithë u larguan nga klube të mëdha në Evropë, ndërsa lojtar të rinj si Neves dhe Gabri Veiga morën këtë rrugë gjithashtu.

Fernandes nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon, por për momentin ai mbetet i përkushtuar në projektin e Ten Hag.

“Unë jam i fokusuar tek kombëtarja dhe United. Unë jam i lumtur këtu ku jam. Tek kombëtarja, ne kaluam kohë të mirë, tek Manchester United nuk e kishim fillimin që deshëm. Unë nuk i shikoj thashethemet. Nuk iu kushtoj rëndësi atyre. Sot, është shumë e lehtë të përhapësh thashetheme në media. Unë preferoj të koncentrohem në qëllimet e mia”, ka thënë Fernandes në një intervistë për Sport TV.

Lexo po ashtu Rooney emëron katër legjenda të Man United, që do të kishin luajtur në ekipin aktual të Man Cityt

Kontrata e Fernandes me Man United skadon në vitin 2026, atëherë kur ai do të jetë 31 vjeçar. Nëse United do të vazhdojë të ketë vështirësi për të mbajtur ritmin me ekipet e mëdha në Evropë, atëherë portugezi mund të vendosë të transferohet në Lindjen e Mesme./Telegrafi/