Një taksi e përmasave të vogla nuk i lejoi terroristët që goditën aeroportin e Brukselit që të merrnin me vete plot pesë bomba të cilat ishin fshehur në pesë valixhet të ndryshme.
Është ky lajmi shokues që vjen nga Belgjika, sipas të cilit bëhet me dije se të dyshuarit kishin kërkuar me telefon një taksi me portobagazh për tre persona dhe pesë valixhe për t’i transportuar ata drejt aeroportit. Megjithatë, përpara banesës së tyre mbërriti një makinë e përmasave normale, gjë që e bëri të pamundur transportin e të gjithë sasisë së eksplozivit. Sipas dëshmive paraprake të drejtuesit të taksisë, bëhet me dije se tre terroristët tashmë të identifikuar kishin shfaqur pakënaqësi duke marrë me vete vetëm tre prej pesë valixheve gjithsej, në të cilat ishte fshehur edhe sasia e eksplozivit.
Ata nuk e lejuan taksistin që t’i vendoste vetë valixhet në bagazhin e makinës, duke u treguar të kujdesshëm në lëvizjet e tyre. Aktualisht drejtuesi i mjetit po bashkëpunon me policinë dhe po mbrohet nën masa të rrepta sigurie.
Në aeroportin e Brukselit pati gjithsej tre bomba të fshehura në valixhet e tre terroristëve. Dy prej tyre janë shpërthyer duke vrarë edhe kamikazët e identifikuar si vëllezërit Khalid dhe Ibrahim el Bakraoui, transmeton kp.
Ndërkohë në rrethana ende të pazbuluara bomba e tretë nuk është aktivizuar, teksa terroristi që po e mbante Najim Laachraoui, është shpallur në kërkim.