Telegrafi

Brukseli pret reformat greke

Komisionari evropian për ekonomi Pierre Moscovici thotë se Brukseli akoma është duke pritur që të arrijë një marrëveshje “gjithpërfshirëse të reformave” me Athinën, e cila do të mundësonte që Greqia të qëndronte në eurozonë.

Moscovici i ka thënë BBC-së se Franca dhe Gjermania duhet ta bindin kryeministrin grek Alexis Tsipras që të prezantojë reformat të cilat do të zhbllokonin huatë të cilat Athinës i duhen për të shpëtuar nga falimentimi, për shkak të borxhit prej 331 miliardë dollarësh.

Këto deklarata të komisionarit vijnë një ditë pasi Tsipras u takua me ministrat e financave të eurozonës në Bruksel por nuk ofroi propozime konkrete të reformave.

Anëtarët e eurozonës i kanë dhënë Greqisë afat deri më 12 korrik që të prezantojë reforma të reja.

Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk i ka ftuar 28 liderët evropianë që të marrin pjesë në samitin në Bruksel, që do të mbahet më 12 korrik, duke thënë se “e ardhmja e Bashkimit Evropian” është në rrezik.

Tusk tha në Parlamentin Evropian se Greqia do të falimentojë, nëse brenda katër ditësh nuk arrihet marrëveshje. /Telegrafi/