Telegrafi

Brukseli kërcënon me sanksione Panamanë

Bashkimi Evropian i është kërcënuar me sanksione Panamasë dhe vendeve të tjera, nëse ato nuk bashkëpunojnë në luftimin e pastrimit të parave dhe shmangies së taksave të tipit që është parë në rrjedhjen e dokumenteve këtë javë.

Kompania juridike, “Mossack Fonseca”, me seli në Panama, u ka ndihmuar mijëra njerëzve të pasur dhe të njohur dhe korporatave të mëdha, të regjistrojnë kompani dhe xhirollogari të jashtme për shmangie të pagesës së taksave në shtetet e tyre.

Për shkak se në xhirollogaritë e tilla shpeshherë identiteti i pronarit është sekret, ato përdoren edhe për pastrim të parave ose për pagesë të mitos.

“Njerëzit janë të ngopur me këto shkelje. Sasia e parave, juridiksionet dhe emrat e ndërlidhur me këtë çështje, janë sinqerisht shokuese”, ka deklaruar komisionari i Bashkimit Evropian për çështje financiare dhe ekonomike, Pierre Moscovici.