Janë zhvilluar shtatë sfida të reja në elitën e basketbollit amerikan NBA.
Brooklyn Nets asesi të këndellet, pasi kanë pësuar humbjen e 10-të radhazi këtë edicion në NBA, që është seria më negative viteve të fundit për këtë skuadër.
Washington Wizards ka qenë skuadra e radhës që i ka mposhtur dhe atë me vetëm një pikë diferencë, 113:112.
Braziliani Raul Neto ishte më efikasi tek Wizards me 21 pikë e gjashtë asistime, derisa ndeshje spektakolare zhvilloi Kyle Kuzma.
Ylli amerikan i Wizards arriti ‘Tiple-Doublen’ e parë me fanellën e Washingtonit ku shënoi 15 pikë, pati 13 kërcime e 10 asistime.
Tek skuadra mysafire më efikasi ishte Kyrie Irving me 31 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime, por që nuk mjaftuan për fitore.
Derbi është zhvilluar në Footprint Center të Phoenixit, ku Suns kanë mposhtur me 24 pikë epërsi Milwaukee Bucks 131:107.
Qendra Deandre Ayton ishte më meritori për fitoren e Suns me 27 pikë, shtatë kërcime e një asistim. /Telegrafi/