Site icon Telegrafi

Britney Spears kaloi Krishtlindjet me djalin e saj 18-vjeçar, të cilin nuk e ka parë prej dy vitesh

Britney Spears ka kaluar Krishtlindjen në shoqërinë e djalit të saj 18-vjeçar, Jayden James. Ajo ndau momente të veçanta me të në Instagram, duke shprehur emocionet e saj për këtë ribashkim të shumëpritur.

“Krishtlindja më e bukur e jetës sime. Nuk e kisha parë djalin tim prej dy vitesh. Lot gëzimi dhe tronditje absolute. Më mungojnë fjalët. Faleminderit, Jezus,” shkroi Britney në përshkrimin e postimit të saj. Në fillim të një videoje të publikuar, ajo e prezantoi Jayden si “bebi i saj,” duke e puthur në faqe dhe duke treguar dashurinë e madhe për të. Më pas, ata u filmuan pranë pemës së Krishtlindjes, duke uruar ndjekësit e Britney-t për festën.

Përveç Jayden-it, Britney ka edhe një djalë tjetër, Sean Preston, 19 vjeç, të cilin gjithashtu e ka nga martesa me ish-bashkëshortin Kevin Federline. Britney dhe Federline u ndanë në vitin 2006, pas tre vitesh martesë.

Marrëdhënia e Britney-t me djemtë e saj ka kaluar nëpër faza të ndryshme, shpeshherë të trazuara. Megjithëse i ka përshkruar ata si burimin më të madh të lumturisë dhe krenarisë së saj, vitet e fundit ata janë larguar ndjeshëm nga njëri-tjetri. Në vitin 2007, pas një krize të saj mendore, Federline fitoi kujdestarinë e plotë për djemtë. Britney, e cila më pas u vu nën kujdestarinë e të atit, Jamie Spears, u pajtua me një marrëveshje për kujdestari të përbashkët.

Në vitin 2019, gjykata ndryshoi përsëri vendimin dhe Federline mori 70% të kujdestarisë. Në atë kohë, Jayden dhe Sean Preston ndaluan së qëndruari në shtëpinë e Britney-t. Takimet e mbikëqyrura u bënë gjithnjë e më të rralla, deri sa ndaluan plotësisht. As pas heqjes së kujdestarisë së të atit në vitin 2021, marrëdhënia e saj me djemtë nuk u përmirësua.

Ata nuk morën pjesë në dasmën e saj me Sam Asgharin dhe shpërngulja e saj në Hawaii e bëri edhe më të vështirë komunikimin. Në një intervistë të rrallë, Jayden shprehu shpresën se, pavarësisht sfidave dhe dramave që kanë ndjekur jetën e Britney-t, ata do të mund të rindërtojnë marrëdhënien e tyre një ditë. “Jam i vetëdijshëm që drama rreth saj nuk do të ndalet kurrë,” tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version