Deputetët britanikë do të votojnë mbrëmjen e kësaj të marte marrëveshjen Brexit.
Edhe pse kryeministrja Theresa May, arriti të siguronte disa ndryshime të detyrueshme ligjore pas bisedimeve të fundit me BE në Strasburg ende nuk dihet nëse deputetët do e votojnë apo jo marrëveshjen.
Kryeministrja May deklaroi se kontrolli në pikën kufitare të Irlandës nuk do të jetë i përhershëm dhe se kjo gjë do të rregullohet.
Por udhëheqësi i punës Jeremy Corbyn është shprehur kundër kryeministres britanike pasi sipas tij, ndryshimet e reja nuk janë as gjysma e atyre që May kishte premtuar.
Kryeministrja May do të zhvillojë një mbledhje të qeverisë mëngjesin e kësaj të marte përpara se mocioni të nisë të debatohet në Commons, përcjell Vizion Plus.
Pas bisedimeve me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker të hënën në mbrëmje, kryeministrja tha se ajo “besonte me pasion” se marrëveshja e saj Brexit i adresoi të gjitha shqetësimet e ngritura nga deputetët.