Më pak se një në tetë britanikë është lejuar të bëhet anëtar i kësaj ueb-faqeje dhe vetëm 3 në 20 femra janë pranuar si anëtare nga BeautifulPeople.com – bën të ditur gazeta “Daily Telegraph”.
Anëtarët aktualë të kësaj ueb-faqeje janë ata që gjykojnë brenda 48 orëve, se sa janë atraktivë anëtarët e rinj që ngarkojnë fotografitë e tyre në faqe dhe profilin personal.
Meshkujt suedezë janë më të suksesshmit deri më tash, pasi 65% e atyre që kanë konkurruar për t’u bërë anëtarë në këtë ueb-faqe janë pranuar, ndërsa në kategorinë e femrave, suksesin më të madh e kanë arritur femrat norvegjeze, të cilat janë pranuar në masën prej 76%.
Sidoqoftë, britanikëve iu ka hasur sharra në gozhdë, pasi prej 295.000 personave që kanë konkurruar, janë pranuar vetëm 35.000 sish.
Ueb-faqja “elitare” që shërben për njoftimin e njerëzve, është themeluar në vitin 2002 në Danimarkë – ndërsa është lëshuar për përdorim botëror gjatë muajit të kaluar.
Gjatë dy javëve të kaluara më shumë se 1.8 milionë njerëzve u është refuzuar anëtarësimi, ndërsa janë pranuar vetëm 360.000 vetë nga 190 shtete të ndryshme të botës.
Drejtori menaxhues i kompanisë Beautiful People, Greg Hodge thotë: “Të pyesësh pse britanikët kanë rezultate kaq të këqija – është pyetje e vështirë. Më dhemb, sepse edhe unë jam britanik”.
“Mendoj se njerëzit në Britani të Madhe më pak i japin rëndësi pamjes së tyre, sesa që i japin rëndësi njerëzit në vende të tjera të botës. Ndërkaq në Britani njerëzit janë më të relaksuar – thjesht, pas punës shkojnë për të pirë ndonjë send dhe kjo është e tëra”, ka thënë ai. /Telegrafi/