Telegrafi

Britanikët hapin Odë Ekonomike në Prishtinë

Ray Power, kryetar i Odës Britanike Ekonomike në Kosovë, tha se hapja e kësaj ode tregon një arritje të madhe midis biznesit kosovar dhe atij britanik.

“Hapja e kësaj ode të tregtisë është mjaft e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Arsyeja e kësaj është për të promovuar interesin ekonomik të këtyre dy vendeve, ndërkaq fokusimi ynë është për të krijuar një bashkëpunim ekonomik të ndërsjellët”, tha Power.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që në këtë periudhe ka mjaft aktivitet ekonomike të këtyre dy vendeve dhe mundësi të mira për të konkurruar në tregun botëror.

Ambasadori britanik në Kosovë, Andy Sparkes, tha se ideja e hapjes së dhomës së tregtisë është mjaft e rëndësishme. “Kosova është një vend me histori të gjatë dhe me bizneset familjare të vogla kanë nevojë të eksportojnë, prandaj është e nevojshme të shikohen marrëdhëniet e përbashkëta”, tha ai.

Në ceremoninë e hapjes ka qenë edhe kryeministri i Republikës, Hashim Thaçi. Ai tha se mbështetja e Britanisë së Madhe nuk ishte e lidhur vetëm me statusin por ka të bëjë edhe me mbështetjen financiare dhe forma të tjera të mbështetjes për zhvillimin ekonomik.

“Britania e Madhe ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në mbarë botën, prandaj hapja e Odes Ekonomike Britanike për ne është shumë e mirëseardhur. Kjo do të ndikojë që ne t’i identifikojmë mundësitë e reja të zhvillimit ekonomik duke promovuar Kosovën si shtet të sigurt dhe atraktiv për investitorët nga e gjithë bota”, tha ai. /Telegrafi/

.