Site icon Telegrafi

Britania sfidë me privatizimet

Ministri britanik i Financave, ka njoftuar sfidën e privatizimeve masive në Britaninë e Madhe. Ministri vazhdon procesin e konsolidimit fiskal, me një sërë privatizimesh, që brenda disa muajsh mund të tejkalojë edhe rekordin e vendosur nga Margaret Thatcher.

Deri në muajt e parë të vitit 2016, Thesari i Britanisë mund të nxjerrë në shitje asete në një vlerë prej 45 miliardë euro. Sipas përllogaritjeve të Financial Times, kjo shifër mund të tejkalojë edhe privatizimet e vitit 1991, prej 20.5 miliardë euro, kur qeverisnin konsdervatorët e drejtuar nga Thatcher. Ata shitën aksione të British Telecom, National Power dhe të kompanive energjetike rajonale.

Epoka e privatizimeve filloi me Royal Bank of Scotland, ku të total shteti zotëron rreth 32 miliardë paund. Për Thesarin e Britanisë është shumë i rëndësishëm balancimi i buxhetit të shtetit dhe qeveria do të përpiqet të ketë një suficit në vitin 2018. Në shitje pritet të jenë aksionet publike të Royal Mail, me një vlerë prej 1.5 miliard paund, aksionet e Channel 4, të Met Office, dhe të kompanive apo institucioneve të tjera.

Në mars të këtij viti, Qeveria shiti edhe aksionet që zotëronte tek Eurostar për 757 milionë paund, ndërsa shitja e aksioneve tek kompania Urenco parashikohet të jetë e vështirë.

Kompania që prodhon uraniumin për centralet bërthamore, është edhe në pronësi të kompanive private si gjermanet, RWE e EON dhe të qeverisë holandeze. Kjo e fundit ka shprehur shqetësimet e saj në Londër për zvogëlimin e kontrollit publik në një kompani strategjike, që prodhon materiale për centralet bërthamore.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave, Osborne ka shitur edhe 1 për qind të kapitalit të Lloyds Banking Group, duke e reduktuar pjesëmarrjen në 13.99 për qind. Nga shitja e aksioneve të Lloyds, deri më tani qeveria ka përfituar rreth 14 miliardë paund. /Telegrafi/

Exit mobile version