Site icon Telegrafi

Britania mbyll minierën e fundit të qymyrit

Njëqind vjet më parë, më shumë se 1 milion njerëz e siguronin jetesën duke nxjerrë qymyr thellë nën tokën Britanike. Por që prej sot, nuk do të ketë më. Miniera e fundit e qymyrit ne Britani është mbyllur, duke vendosur kështu fundin e një industrie që ka ndihmuar për t’i dhënë statusin e një superfuqie Britanisë në shekullin e 19-të.

Një kolaps në çmimet e qymyrit dhe përpjekjet e nxituara për të luftuar ndryshimin klimatik i kanë dhënë goditjen finale. Kellingley Colliery, në Yorkshire-in perëndimor, është mbyllur gjatë ditës së Premte. Industria e qymyrit në Britani, përbëhet tashmë nga disa miniera sipërfaqësore të vogla, që prodhojnë rreth 8 milionë ton në vit.

Prodhimi Britani shënoi një rekord prej 292 milionë ton në vitin 1913. Ndërsa qymyri është nxjerrë në Britani që përpara pushtimit Romak, industria arriti kulmin gjatë revolucionit industrial. Sipas Telegrafit, në fillim të shekullit të 20-të, nga Wales në Yorkshire, kishte më shumë se 3,000 miniera.

Britania, vend që importonte 42 milionë ton qymyr vitin e kaluar, tashmë po kërkon ti zëvendësojë këto me energji bërthamore dhe gaz për të reduktuar ndotjen. Impiantet e qymyrit që nuk janë të pajisura me aparatura që ndalojnë dhe mbikëqyrin emetimet, do të mbyllen deri në vitin 2025.

Prodhuesit e qymyrit nëpër botë po mbyllin miniera, ndërsa ato amerikanë “Alpha Natural Resources”, “Patriot Coal Corp.” dhe “Walter Energy Inc.” po kërkojnë mbrojtje nga falimentimi këtë vit. /Telegrafi/

Exit mobile version