Telegrafi

Britania mbështet pavarësinë e Kosovës

Murphy tha se në Bashkimin Evropian ka unitet për misionin e ardhshëm në Kosovë dhe tha se baza ligjore për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë dhe për statusin e saj është rezoluta ekzistuese 12-44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lidhur me problemin se është e pamundur që të ketë një marrëveshje unanime lidhur me statusin e Kosovës, Murphy është shprehur shumë qartë: “Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë e qartë, dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi ka qenë shumë e qartë se, ne nuk do të lejojmë një veto të paarsyeshme nga një komb për ta ndaluar bashkësinë ndërkombëtare që të respektojë premtimin e saj ndaj Kosovës për pavarësinë e saj, për statusin e saj si shtet sovran dhe ne kemi qëllim që ta respektojmë plotësisht këtë”.

Por, sigurisht, ka shtuar ai, kjo duhet bërë me ndjeshmëri. “Duhet të ketë mbrojtje themelore dhe të vërtetë për pakicën serbe në Kosovë dhe ne ua kemi shpjeguar përsëri, qeverisë së re në Kosovë, se ata duhet të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare në këtë proces gjatë javëve, dhe ndoshta muajve, të ardhshëm, dhe kjo ka me të vërtetë rëndësi”, ka thënë ai.

Ndërkaq i pyetur nëse çështja e Kosovës përsëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Murphy ka thënë: “Besoj se çështja do të kthehet në Kombet e Bashkuara dhe ne nuk i kemi hequr plotësisht shpresat që Kombet e Bashkuara të vijnë në një konkluzion pozitiv, por siç e përmenda vetoja e një vendi në OKB nuk mund të lejohet që të bllokojë pavarësinë për Kosovën, një pavarësi që është një proces i menaxhuar që është i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”.

Murphy po ashtu në këtë intervistë ka dhënë një sugjerim të fortë për qeverinë e Kosovës, që të punojë me Mbretërinë e Bashkuar, të punojë me Bashkimin Evropian, të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, që “së bashku të kemi një proces të menaxhuar drejt pavarësisë”.

“Pra, të mos ketë të papritura, të bëhet me ndjeshmëri dhe që të drejtat e pakicës serbe të mbrohen, kryesisht duke u bazuar në planin Ahtisaari, që është një plan shumë i mirë që ne duhet tani ta zbatojmë”, tha ai. /bbc/