Pas largimit të ambasadorit Michael Davenport, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka emëruar Cornelia Taylor si Ushtruese Detyre të Shefit të Misionit, i cili në një fjalim të mbajtur sot para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, prezantoi raportin e saj mbi situatën aktuale në Kosovë.
Ambasadori britanik në OSBE, Neil Holland, i cili gjithashtu mbajti një fjalim, vlerësoi raportin e Taylor.
Holland theksoi se Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimin për mungesën e progresit në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, një çështje që, sipas tij, vazhdon të ketë ndikime negative për qytetarët e zakonshëm dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Mirëpresim vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit të hyrjes për mallrat serbe. Ky është një hap pozitiv drejt mundësimit të tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor, duke përfituar ekonomikisht qytetarët e rajonit”, deklaroi Holland.
Ai bëri thirrje për angazhim konstruktiv nga të dyja palët, Kosovë dhe Serbi, në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe për përmbushjen e detyrimeve, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ambasadori britanik rikonfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe multietnike, duke inkurajuar përfshirjen e plotë të komuniteteve joshumicë në jetën publike.
Holland gjithashtu përmendi rastin e sulmit në Banjskë të shtatorit 2023, duke bërë thirrje për drejtësi dhe bashkëpunim të plotë nga Serbia për të luftuar kontrabandën e armëve ndërkufitare.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës dhe do të vazhdojë të përkrahë integrimin e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar”, përfundoi Holland.