Site icon Telegrafi

Britani, ulet papunësia në 6%

Në Mbretërinë e Bashkuar shifrat tregojnë se papunësia është ulur në nivelin e 6%, përtej parashikimit të ekspertëve prej 6.1%.
Të dhënat për nivelin e papunësisë shënojnë rekordin më pozitiv që prej muajit tetor të vitit 2008.

Paradoksalisht, rritja e punësimit flet për një rritje tejet të ngadaltë, me vetëm 46.000 të punësuar të rinj nga një total prej 30.7 milionë. Kjo shifër mbetet edhe më e ulta që prej pranverës së vitit të kaluar. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të ardhurat nga paga javore kanë pësuar një rritje prej 0.7%. Edhe pse kjo shifër shënon një rritje krahasuar me 0.6% të periudhës së kaluar, mbetet ende shumë larg vlerës së inflacionit, e cila në shtator ishte në 1.2%.

Rritja me ritme tepër të ngadalta të të ardhurave nga paga është edhe një nga pengesat kryesore për sa i përket ritmit së rimëkëmbjes në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Marck Carney, ka përjashtuar mundësinë e rritjes së normës së interesit derisa të përmirësohet ritmi i rritjes së pagave dhe produktiviteti. Analistët në vend shprehen se rritja e normës bazë të interesit nuk pritet as përgjatë 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

`Edhe pse të dhënat e fundit mbi papunësinë mbeten pozitive, është thuajse e pamundur që anëtarët e komisionit për politikat monetare të votojnë për një rritje të normës së interesit`- u shpreh Angus Campbell, analist i FxPro. Shifrat mbi inflacionin dhe rritjen e ngadaltë të pagave, janë edhe shkaktarët e shtyrjes së pritshmërisë për rritjen e parë të normës së interesit. Bankës Qëndrore të Anglisë i duhet më shumë kohë te vlerësojë të dhënat e derimëtanishme dhe të vendosë për politikën monetare që do të ndjekë gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version