Sundimi i ligjit në Kosovë vazhdon të jetë i brishtë, sipas njohësit të çështjeve juridike, Andrea Capussela.
Ai, në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, ka thënë se elita politike dhe ekonomike e Kosovës është plotësisht e ndërgjegjshme se brishtësia e sundimit të ligjit është në favor të tyre.
Thotë se kjo elitë ka pozita dominuese dhe se sundimi i brishtë i ligjit vetëm sa fuqizon dominimin e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se një sistem i fortë i drejtësisë do të ishte kërcënim për ta.
Kjo, sipas tij, është e dukshme kur analizohen më në thellësi veprimet brenda gjyqësorit e prokurorisë, pasur parasysh edhe seleksionimin e lëndëve duke iu dhënë përparësi atyre që ndërlidhen me interesat politike.
Capussela ka theksuar se ky është shkaku i humbjes së besimit qytetar në sistemin e drejtësisë.