Aktorja franceze, Brigitte Bardot, ka thënë se të gjitha ata që e kanë ngritur zërin kundër keqtrajtimeve seksuale janë hipokritë dhe qesharakë.
Legjenda franceze e ekranit i është bashkuar Catherine Deneuve për t’i kritikuar femrat në industrinë filmike që janë ankuar për keqtrajtime, duke thënë se në shumicën e rasteve, ato janë hipokrite, qesharake dhe të pamenduara mirë.
“Shumë aktore flirtojnë me producentët për të marrë role. Pastaj kur flasin për këtë gjë më vonë, thonë se i kanë shqetësuar seksualisht. Kjo më shumë u bën dëm sesa i ndihmon”, ka thënë Bardot në një intervistë për Paris Match.
83-vjeçarja ka shtuar më tej se ajo nuk ka qenë asnjëherë viktimë e keqtrajtimeve seksuale.
“E kam konsideruar gjë të këndshme kur dikush më ka thënë se jam e bukur dhe kam prapanicë të mirë. Komplimentet e këtij lloji kanë qenë të dëshiruara”, ka theksuar Brigitte.
Ngjashëm si aktoret hollivudiane me fushatën ‘#MeToo’, edhe në Francë është inicuar fushata ‘#BalanceTonPorc’.
Ndërsa Catherine Deneuve ishte e para që reagoi ndaj atyre që e kanë nisur këtë fushatë duke thënë se shumica e femrave që kanë ngritur akuza të pavërteta, ndërkohë që më pas u ka kërkuar falje viktimave të vërteta të keqtrajtimeve seksuale. /Telegrafi/