Themeluesit e OJQ-së “Color Art”, që janë projektues dhe patron të njërit nga projektet më domethënëse për Mitrovicën, “Bridge Film Fest “, pas dy edicioneve të suksesshme, kanë vendosur që në edicionin e radhës të sjellin një strukturë të re, një frymë të re, që do t’i shërbejë konceptit fillestarë të këtij projekti e që ka qenë dhe mbetet krijimi i urave mes njerëzve.
Anetarët e OJQ-së “Color Art” dhe anëtarët e bordit të festivalit “Bridge Film Fest”, kanë vendosur që në një mandat dyvjeçar, festivalin ta drejtojnë: Besarta Pasoma, drejtor i Festivalit, Adriana Morina, drejtor artistik, Zoran Ristic, kryetar i Bordit të Festivalit.
"Bridge Film Fest" është koncept i ri në botën e festivaleve të filmit. Synimi kryesor i tij është bashkimi, komunikimi dhe mirëkuptimi mes kulturave dhe komuniteteve të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.
Që në edicionet e para suksesi i festivalit ishte për t’u lakmuar dhe këtë si për nga numri i filmave ashtu edhe për nga kualiteti i tyre. Në Edicionin e Parë në adresën e Bridge Film Fest arritën 1724 filma, ndërsa në Edicionin e Dytë 2654 filma të metrazhit të gjatë e të shkurtë të 112 vendeve nga gjitha anët e botës.
Koncepti fillestar i bashkimit dhe komunikimit u bë realitet, kur në Mitrovicë, erdhën artistët dhe film-bërësit nga shume vende të Evropës, përfshi edhe Indinë.
Ndërkaq, për Edicionin e Tretë të Festivalit "Bridge Film Fest", duket se ka një interesim të madh jo vetëm nga film-bërësit, por edhe të popullatës në Kosovë dhe grupeve të ndryshme të interesit. Që nga thirrja e parë për filma me 19 Janar të këtij viti arritën mbi 1000 filma nga 72 vendeve anembanë botës. Kjo na bënë të besojmë që numri final i filmave, ka gjasa të kalojë mbi 3000 deri në fund të konkursit, më 15 prill të këtij viti.
Bordi, gjithashtu ka vendosur ta shkarkojë znjsh. Nerimane Ferizi nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të festivalit dhe nga pozita e anëtarit të OJQ “Color Art”. Një vendim i tillë është marrë pasi që është konstatuar se znjsh. Nerimane Ferizi ka keqpërdorur besimin e OJQ-së “Color Art” dhe ekipit të Festivalit “Bridge Film Fest”. /Telegrafi/