Site icon Telegrafi

Brian Hoyt Yee bisedon edhe me Mustafën për ratifikimin e Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Brian Hoyt Yee.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, kryeministri Mustafa dhe Yee kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë.

“Kryeministri Mustafa e falënderoi për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me SHBA-të, në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

“Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, vlerësoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve në vend, duke përfshirë gatishmërinë për partneritet të plotë me SHBA-të dhe NATO-n në procesin e transformimit të FSK-së”.

“Yee, po ashtu, vlerësoi lidershipin e qartë të kryeministrit Mustafa për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar edhe për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version