Telegrafi

Brezovica në duart e “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar sot kontratën për dhënien me koncesion për 99 vjet të Qendrës Turistike të Brezovicës, e cila pritet të hyjë në fuqi pas gjashtë muajve. Në këtë mënyrë i jepet mundësi koncesionarit francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”për t’i siguruar mjetet financiare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me rastin e nënshtrimit të kontratës ka thënë se objektivi i projektit të Brezovicës ka qenë tërheqja e një investitori serioz për projektimin, ndërtimin dhe financimin e hapësirës zhvillimore të vendosur në parkun ndërkombëtar Mali i Sharrit.

Sipas Bajramit, bëhet fjalë për një investim shumë serioz prej 409 milionë euro, nga të cilat 165 milionë janë të parapara të investohen në tri vitet e para. Ajo po ashtu tha se ky projekt do të ketë një ndikim në zhvillimin ekonomik, para së gjithash në Komunën e Shtërpcës.

“Në përgjithësi, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pritet që të krijohen rreth 4 mijë vende të punës dhe ajo që është tepër e rëndësishme për ne në këtë fazë, si vend që kemi tepër nevojë për investime të huaja direkte, është se implementimi me sukses i këtij projekti, definitivisht do të dërgojë një sinjal shumë pozitiv edhe për investitorët tjerë potencialë të vegjël e të mëdhenj që e konsiderojnë Kosovën si opsion për të investuar”, tha Bajrami.

Ajo ka falënderuar edhe Ambasadën amerikane dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në këtë projekt.

Bajrami njoftoi se ka kohë edhe gjashtë muaj deri sa kontrata të hyjë në fuqi.

“Normalisht që janë obligime për të dy palët – nga ana e investitorit që të mobilizojë financat mirëpo kemi obligime edhe ne si qeveri e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Pascal Roux, përfaqësues i konzorciumit francez , tha se kjo kontratë është një hap i radhës, mirëpo nuk do të jetë i lehtë për asnjërën nga të dy palët.

“Kemi punuar fort nga ana jonë dhe nga ana e ekipit të ISEP dhe tani kemi 180 ditë për të venë në funksion këtë hap. Do të duhet të punojmë në procedura financiare, në kuptimin dhe ndikimin mjedisor dhe shoqëror në njerëzit atje”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i kompanisë franceze, po ashtu tha se duhet të punojnë shumë në arritjen e rezultateve, duke u përshtatur teknikisht me programin.

“Do të punojmë në përshtatje teknike dhe në të gjithë programin që të prodhojmë rezultat. Ky projekt sigurisht që është një projekt shumë i madh për Kosovën dhe jemi shumë të lumtur që na është dhënë neve për ta realizuar. Ky projekt do të jetë më shumë se kaq, do të thotë do ta bëjmë Brezovicën të operojë gjatë gjithë vitit. Do të kemi përkushtimin që t’i bëjmë këto rezultate që t’i arrijnë standardet ndërkombëtare sa i përket kualitetit të shërbimeve në mënyrë që ky projekt të shkëlqej në Kosovë dhe në Ballkan”, tha Roux. /KP/