Site icon Telegrafi

BREXIT do të ngadalësojë ekonominë

Ekonomia britanike do të rritet më ngadalë jashtë Bashkimit Europian, pavarësisht se çfarë marrëveshjeje arrin Londra me Brukselin.

Sipas një raporti konfidencial të Qeverisë britanike, të zbuluar nga mediet, shkruan Top Channel, analiza e autoriteteve tregon se rritja ekonomike britanike jashtë BE-së do të jetë deri në 8 për qind më e vogël gjatë 15 viteve të ardhshme, në krahasim me skenarin e qëndrimit në BE.

Në dokument shkruhet se, për hartimin e analizës u shqyrtuan skenare të mundshme. Burime qeveritare, me kusht anonimiteti thonë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë më keq, pasi analiza nuk merr parasysh mundësinë e një marrëveshjeje tregtare preferenciale për Londrën, megjithëse Brukseli ka thënë shpesh se Britania nuk mund të zgjedhë atë që dëshiron.

Në analizën e bërë nga Ministria për BREXIT-in sugjerohet se çdo sektor i ekonomisë do të goditet dhe çdo krahinë e vendit do të jetë më keq.

Disa konservatorë thonë se raporti nuk është i saktë dhe se asnjë parashikim për BREXIT-in nuk ka qenë real, ndërsa sugjerojnë se publikimi i tij është bërë me dashje për të krijuar një imazh të keq.

Raporti thotë se rritja ekonomike do të jetë 5% më e ulët, nëse Britania negocion një marrëveshje për tregtinë e lirë, dhe 2% më e ulët nëse do të vazhdojë të aderojë te rregullat e tregut të përbashkët.

Një detaj për t’u theksuar është se, çdo skenar i përllogaritur nga analiza parashikon një marrëveshje të re tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe, pa ndihmën nga përtej Atlantikut, shifrat mund të jenë edhe më të këqija. /Telegrafi

Exit mobile version