Mund të arsyetohet një referendum i dytë i britanikëve që të mbesin në BE, nëse ka përcaktim të qartë publik kundër Brexit-it, ka thënë ish-prokurori i shtetit dhe përfaqësues i konservatorëve, Dominic Grieve.
Këshilltari kryesor ligjor i Qeverisë britanike – deri në vitin 2014 – thotë se rezultati i referendumit të parë duhet të “trajtohet me respekt”, por kjo nuk do të thotë se është shkruar në gur.
Në korrespondencën që ka parë ditorja britanike Independent, Grieve thotë se Brexit-i nuk mund të injorohet momentalisht, porse një referendum tjetër mund të arsyetohet në aspektin demokratik, transmeton Telegrafi.
“Duhet të pranojmë atë që paraqesin rezultatet e referendumit, për kohën kur është mbajtur, e që paraqet mendimin e shumicës se duhet lënë BE-në. Në demokraci, një rezultat i tillë nuk mund të injorohet”, ka shkruar ai. “Qeveria dhe Parlamenti duhet ta trajtojnë këtë me respekt. Sigurisht, është e mundur që me kohën do të bëhet e qartë se ka ndryshuar opinioni publik për këtë çështje. Nëse është kështu, referendumi i dytë mund të justifikohet”.
Grieve i hodhi poshtë sugjerimet se mbështetësit e BE-së duhet të flasin kundër rezultateve, duke thënë se në një shoqëri të lirë njerëzit duhet të jenë në gjendje të jetë të kundërshtojnë qëndrimin e shumicës.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se peticioni ku merrni pjesë dhe format tjera të kundërshtimit mund të ndikojnë në mënyrë pozitive. Ndaj, ju inkurajoj të mos hiqni dorë”, shprehet ai, transmeton Telegrafi.
“Në një shoqëri të lirë nuk ka asnjë detyrim për të ndryshuar mendimin tonë veç pse shumica aktuale nuk pajtohet me këtë. Unë do të vazhdoj të bëj fushatë për atë që besoj dhe që mendoj se është e drejtë e për të mirën tonë”, ka shkruar Grieve, teksa ky shkrim sipas ditores Independent cilësohet si autentik.
Këto komente vijnë pas hulumtimit që tregon se 1.2 milion e britanikëve që votuan për të lënë në BE-në, tani pendohen për këtë votë. Studimi është publikuar nga Opinium, organizatë që saktë e parashikoi rezultatin e referendumit kundër BE-së. Tashti hulumtimi i tyre tregon se janë penduar shtatë për qind e atyre që ishin pro Brexit-it. /Telegrafi/