Telegrafi

Brexit-i dhe rendi evropian

Kanë mbetur vetëm disa muaj derisa Mbretëria e Bashkuar të dalë zyrtarisht nga Bashkimi Evropian. Deri më tani debati rreth Brexit-it është kufizuar vetëm në aspektet ekonomike. Nëse Brexit-i del nga blloku pa një marrëveshje të përbashkët, dëmi do të jetë i madh. Dhe siç janë punët, një marrëveshje është larg.

Një Brexit “i ashpër” do të nënkuptonte se në orën 11 të mbrëmjes më 29 mars 2019, anëtarësia e Britanisë në çdo traktat të BE-së – si doganat e përbashkëta dhe tregu i vetëm – dhe marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë lidhur nga BE do të përfundonin – pa përmendur kaosin në kufirin e Britanisë.

Por, Brexit-i do të ketë me siguri pasoja të gjera politike. Në aspektin e çështjeve të përditshme, BE perceptohet gjerësisht si treg dhe dogana të përbashkëta. Por, në zemër është një projekt politik i bazuar te ideja specifike i sistemit evropian të shteteve. Kjo ide – jo ekonomia e çështjes – është thelbi i Brexit-it. Dhe kjo është arsyeja pse vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE – me ose pa marrëveshje daljeje – do të ketë një ndikim të thellë në rendin evropian të shekullit 21.

Shumica e ngushtë e britanikëve që votuan për të dalë në referendumin e vitit 2016 nuk ishin të shqetësuar për ekonominë, por me shpalljen e sovranitetit të plotë politik. Ata e përkufizojnë sovranitetin jo në aspektin e fakteve objektive të shekullit XIX. Pa përmendur se Britania tani është një fuqi evropiane e mesme me pak, thuajse aspak, mundësi për t’u bërë sërish aktor global – brenda apo jashtë BE-së.

Nëse pjesa tjetër e kontinentit do të pasonin shembullin britanik dhe do të largoheshin nga ideja e shekulli 19 drejt asaj të 21, BE-ja do të shpërbëhej. Çdo vend do të kthehej në sistemin e sovranitetit shtetëror që përpiqet për dominim dhe që vazhdimisht kontrollon ambiciet e tjetrit.

Në kushte të tilla, vendet evropiane nuk do të kishin fuqi të vërtetë dhe do të largoheshin një herë e mirë nga skena botërore. Evropa, e ndarë mes transatlanticizmit dhe euroazianizmit, do të bëhej pre e thjeshtë për fuqitë e mëdha joevropiane të shekullit XXI. Në rastin më të keq, Evropa do të bëhej një arenë e luftërave të fuqive të mëdha. Evropianët nuk do të përcaktonin më të ardhmen e tyre; fati i tyre do të vendosej gjetkë.

Rendi i vjetër rënës i shekullit XIX në Evropë u shfaq në Luftën 30-vjeçare (1618-1648). Sistemi mesjetar që e pasoi, bazuar në një kishë universale dhe perandori, u zhduk gjatë Reformimit. Pas një serie luftërash fetare dhe krijimit të fuqive të forta territoriale, u zëvendësua nga “sistemi uestfalian” i shteteve sovrane.

Gjatë shekujve të tjerë, Evropa sundoi botën dhe Britania vetë ishte fuqi dominuese evropiane. Megjithatë sistemi uestfalian u shkatërrua gjatë dy luftërave botërore të gjysmës së parë të shekullit XX – të dyja në fakt luftëra evropiane për dominim botëror. Kur armët pushuan në vitin 1945, evropianët – edhe aleatët fitimtarë – e humbën efektivisht sovranitetin e tyre. Sistemi uestfalian u zëvendësua nga rendi bipolar i Luftës së Ftohtë, ku sovraniteti ndodhej në dy fuqitë bërthamore joevropiane: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik.

BE-ja u krijua si një përpjekje për të rifituar sovranitetin evropian paqësisht, duke bashkuar interesat kombëtar të shteteve evropiane. Synimi i kësaj përpjekjeje ka qenë gjithnjë parandalimi i kthimit në sistemin e vjetër të fuqive rivale, aleancave reciproke dhe egoizmit hegjemonik. Dhe çelësi i suksesit ka qenë një sistem kontinental i bazuar në integrimin ekonomik, politik dhe ligjor.

Brexit-i i ka hedhur përfitimet materiale të këtij niveli integrimi në rrezik. Gjatë negociatave të Britanisë me BE-në, një problem i vjetër u shfaq sërish: çështja irlandeze. Me të hyrë në BE, Republika e Irlandës dhe Mbretëria e Bashkuar, ideja irlandeze e ribashkimit u shfaq dhe dekada luftë civile mes katolikëve dhe protestantëve në Irlandën e Veriut ranë në heshtje. Realitetet praktike të integrimit të BE-së nënkuptonin se nuk kishte më rëndësi se kujt vendi i përkiste Irlanda e Veriut. Por, me Brexit-in që po e përmbys historinë, spektrat e të shkuarës po kërcënojnë të kthehen.

Evropianët duhet ta shohin me kujdes çështjen irlandeze, sepse ka më shumë potencial të kthehet bashkë me konfliktet e saj në kontinent. Një rend i ri botëror po shfaqet dhe do të përqendrohet në Paqësor, jo në Atlantik. Evropa ka një – dhe vetëm një – shans për ta menaxhuar këtë tranzicion historik. Shtet-kombet e vjetra evropiane nuk do të përballen me konkurrencën nëse nuk bashkohen. Edhe atëherë, arritja e sovranitetit evropian do të kërkojë një përpjekje masive dhe të përqendruar të vullnetit politik dhe zgjuarsisë.

Nostalgjia për një të shkuar madhështore është gjëja e fundit që do të ndihmojë evropianët të përballojnë sfidën me të cilën përballen. E shkuara, nga natyra ka mbaruar. Me ose pa Britaninë, Evropa duhet të shohë nga e ardhmja. /Project Syndicate/BIRN/