Stuhia e cila goditi vendin pak ditë më parë, ka bërë dëme të mëdha në vreshtat e komunës së Rahovecit, por edhe kultura tjera bujqësore që kultivohen në këtë anë.
Avdi Kastrati, vreshtar nga komuna e Rahovecit, ka të mbjellë më shumë se dy hektarë me vreshta. Mirëpo, siç thotë ai, dëmet nga breshri në vreshtat e tij janë shumë të mëdha.
“Nuk do të mund t’i nxjerr as edhe 10 për qind të tyre, për shkak të stuhisë që ditë më parë ka përfshirë vendin. Kështu nga rreth 5 mijë euro që shpresonte t’i nxirrte nga shitja e rrushit, tash ai nuk do të mundë të sigurojë as edhe 500 euro, ka thënë ai, shkruan Zëri.
Ai tregon se një pjesë të investimeve që i bëri, që të krijonte të ardhura për familjen e tij, i dështuan për shkak të vërshimeve të fundit.
“Unë e mbaj familjen nga këto vreshta dhe kjo për neve është një humbje e madhe. Ne nga këta hektarë me rrush kemi planifikuar që do të kemi rreth 5 mijë euro fitim nga shitja pasi që ky rrush është me varietete nga ai i tryezës, tregut, e jo i rakisë. Këto janë veç në prodhim pa llogaritur edhe investimet që i kemi bërë. Është fatkeqësi për neve se veç jemi në minus”, ka thënë ai.
Kastrati tregon se ka njoftuar Komunën për dëmet që janë shkaktuar, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje nëse do të kompensohej dëmi. /Telegrafi/