Shiu i rrëmbyeshëm i cili ka rënë para një jave në rajonin e Rahovecit, fatmirësisht nuk ka dëmtuar në masë të madhe 2200 Ha vreshta , regjioni i cili është më i madh në Kosovë me këtë kulturë bujqësore.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Rahovec, Lulzim Haska epiqendra e rënies së breshrit ka qenë nga fshati Drenoc deri te vendi i ashtuquajtur ” Rezinë” në dalje të Rahovecit, dhe në këtë zonë, nga breshëri janë dëmtuar 50 – 90 për qind vreshta në sipërfaqe prej 30 Ha, varësisht prej varieteteve të rrushit.
Haska në vazhdim thotë se nga varietet në këtë zonë është dëmtuar rrushi i tryezës, por fatmirësisht në zona tjera gjendja e vreshtave deri tash është shumë e mirë. Ai thotë se është formuar komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve, dhe raporti final i këtij komisionit do t’i dorëzohet edhe Ministrisë për BPZHR.
Në anën tjetër shumë vreshtar të vyeshëm rahovecas, gjendjen momentale e vreshtave të tyre e vlerësojnë shumë të kënaqshme.
Shaban Isma, i cili në vendin e quajtur “Sejanë” ka 1 Ha me varietete ” game” , ” smederevkë ” dhe ” hamburg”, shprehet i kënaqur me gjendjen momentale, por thotë se po e mbikëqyr vazhdimisht sipas udhëzimeve të ekspertëve por edhe falë përvojës personale mbi 60 vjeqare.
Po ashtu edhe vëllezërit Besim e Faruk Hasku po ndahen të kënaqur, por pjesërisht se rrushi është kulturë e cila varet nga kushtet atmosferike deri në kohën e vjeljes, por shpresojnë në vitin e bereqetshëm. /Telegrafi/