Site icon Telegrafi

Breshëri zbardh disa vende të Kosovës – shkakton dëme materiale

Siç paralajmëruan meteorologët, pasditën e së martës pati një ndryshim të temperaturave në Kosovë.

Rrebeshet me shi dhe breshëri kanë prekur disa komuna në Kosovë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Komuna e Rahovecit u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo situatë emergjente.

“Pas rrëbesheve të shiut të orëve të pasdites, të cilat u shoqëruan edhe me breshër, ekipet e komunës, zjarrfikësit dhe kompanitë e kontraktuara nga komuna, kanë dalë në terren për të përcjellë situatën”.

“Falë përpjekjeve të përbashkëta, ujërat e mbledhur janë shkarkuar, dhe tani gjendja është përmirësuar.”

“Në rast të nevojës për asistencë, qytetarët janë të lutur të kontaktojnë në numrat e telefonit: 112 – Numri unik emergjent; 193 – Njësiti i zjarrfikjes dhe shpëtimit; 192 – Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e komunës.

Breshër i madh ka rënë edhe në Suharekë, Han të Elezit.

“Jemi mjaft të shqetësuar pas reshjeve të shiut dhe të breshërit në komunën tonë pasditen e sotme. Komuna e Hanit të Elezit me të gjitha kapacitetet që ka është në terren, zjarrëfikësit dhe policia janë në gatishmëri për çdo rast, gjithashtu në terren do të jenë kompanitë e kontraktuara për pastrimin e hapësirave publike”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi.

Ai ka shtuar se komuna ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ku do të diskutohen të gjitha veprimet e nevojshme që duhen ndërmarrë.

“Uroj që të mos keni pasur dëme në shëndet dhe më lejoni të ju shpreh keqardhje për të gjithë ju që keni pësuar dëme në pasuritë tuaja nga kjo fatkeqësi”, shkruan ai.

Reshje të shiut me breshër po bie edhe në këto momente në Prishtinë.

Pavarësisht raporteve fillestare të përmirësimit të situatës, autoritetet komunale janë ende duke vlerësuar për dëmet dhe reagimin e nevojshëm./Telegrafi/

Exit mobile version