Site icon Telegrafi

Brenda vitit, mbi 300 mijë persona shfrytëzojnë trenin për udhëtim në Kosovë

Drejtori për zhvillim të biznesit në “Trainkos”, Liridon Drenica ka thënë se në hekurudhën e Kosovës e kanë përballuar mjaft mirë situatën e krijuar si pasojë e coronavirusit.

Drenica tha se brenda vitit kanë një frekuentim prej 300 mijë personave që shfrytëzojnë trenat për udhëtim, ndërsa tashmë ka filluar të qarkullojë vetëm linja për Pejë, për personat që kanë leje qarkullimi.

“Trainkosi e ka përballuar shumë mirë e me sukses këtë kohë. Prej datës 13 mars e kemi ndërprerë trenin e parë që është ndërkombëtar Prishtinë-Shkup-Prishtinë. Ndërsa, më datë 14 mars e kemi ndërprerë edhe trenin Prishtinë-Pejë-Prishtinë”, tha Drenica.

Ai tha se transporti i udhëtarëve me tren u mundëson atyre që të kenë hapësirë të mjaftueshme, pasi nuk është njësoj si në autobus, por që sipas tij nuk është shumë me leverdi, pasi shumë kategori lirohen nga pagesa dhe studentët po ashtu paguajnë 50 për qind më lirë.

“Realisht me fillimin e fazës së dytë më 18 maj është paraparë edhe rifillimi i punës, ku e kemi paraparë që pas vlerësimin të gjendjes epidemiologjike, mund të nisim punën me linjën e trenit për Pejë. Transportin e udhëtarëve ne e cilësojmë si transport publik, pasi mbulohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit publik. Frekuentimi i trenave shkon mbi 300 mijë persona brenda vitit. Ne jemi të obliguar që të lirojmë nga pagesa shumë kategori, sidomos ata të dal nga lufta, ndërsa për studentët të cilët e frekuentojnë më shumë, që është 50 për qind më lirë dhe nuk është shumë profitabile kjo. Transporti me tren jep hapësirë të majftueshme, nuk është si në autobus, për shkak se ofrojmë 5 vagonë që ka mjaftueshëm vend. Tani për tani në këtë fazë, i kemi mundësuar të qarkullojnë vetëm ata të cilët kanë leje qarkullimi”, tha Drenica.

Kurse, sa i përket linjës ndërkombëtare për në Shkup, ai tha se presin rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucioneve tjera shëndetësore për vendim të hapjes edhe të kësaj linje. /RTVDukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version