Kultivimi i perimeve viteve të fundit është bërë shumë i dobishëm dhe me leverdi për fermerët. Përveç rritjes së kultivuesve është rritur edhe gama e prodhimeve perimore. Në Kosovë janë rritur edhe sipërfaqet e kultivuara me presh. Brenda vitit fermerët kultivojnë më rreth 100 hektarë me këtë kulturë.
Gezim Hoti nga Samadraxha e Suharekës, tash e 20 vite merret me kultivimin e preshit (purrinit). Ai tregon se bashkë me 21 anëtarët e familjes së tij, punon në sipërfaqet e kultivuara. “Me kultivimin e preshit kam filluar tash e 20 vite, jam i kënaqur me punën që bëjë dhe me shitjen e tyre. Kam të mbjellura me presh 70 ari”, tha ai.
Hoti tregon se ka dal me prodhimet e tij në treg që nga fillimi i këtij muaji dhe është i kënaqur me shitje. “Nga fillimi i gushtit kam dalë me prodhimet e preshit, jam i kënaqur me shitjen e preshit sepse çmimi është i mirë. Por problem për ne si kultivues vendorë është kur futet presh nga jashtë, pasi po an ulet çmimi e po ashtu na bie shitja”, tha fermeri Gezim Hoti.
Ky fermerë tregon se e mira e kultivimit të preshit është se sipërfaqet e tokës mund të përdoren deri në 3 herë për kultivim brenda një viti. “Me kultivimin e preshit sipërfaqja e tokës mund të përdorët deri në tre herë brenda një viti, kështu që është mundësi e mirë për shfrytëzimin e sipërfaqes së tokës për fermerët që kanë pak tokë”, tregon ai.
Hoti ka plane për zgjerimin e sipërfaqeve me presh por thotë se nuk ka tokë të veten e për të marrë tokë me qera dhe rritur sipërfaqet i duhet përkrahje financiare, e cila i ka munguar deri më tani. “Kam plane për rritjen e sipërfaqeve kultivuese, por më duhet përkrahje financiare pasi nuk kam tokë të mjaftueshme time. Përveç përkrahjes financiare kemi nevojë edhe për ofrimin e këshillave të ndryshme rreth sëmundjeve që mund t’i prek perimet e preshit”, thotë Gezim Hoti nga Fshati Samadraxhi i Komunës së Suharekës.
Sipas statistikave zyrtare në vendin tonë me presh (purri), kultivohen rreth 100 hektarë me një prodhim prej 130 tonëve brenda vitit.
Ndryshe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Ruralë (MBPZHR), kanë treguar se viteve të fundit është rritur përkrahja financiare për kultivuesit e perimeve, ndërkaq sivjet këta fermer janë përkrahur me nga 300 euro për çdo hektarë të mbjellë. /FermaIme/Telegrafi/