Site icon Telegrafi

Brenda tre muajve në Rusi zhduket një mjek dhe vdesin dy të tjerë të spitalit ku ishte pranuar Alexei Navalny pas helmimit

Është zhdukur mjeku i cili ishte bërë i famshëm me falsifikimin e diagnozës së Alexei Navalnyt ku ishte pranuar pas helmimit me Novichok.

Policia në rajonin e Omsk, rreth 2,200 kilometra në lindje të Moskës, deklaroi se mjeku Aleksandar Murakhovsky, gjatë ditës së premte, u largua nga baza e gjuetisë në pyll dhe se ai nuk është parë që nga ajo kohë.

Murakhovsky që ishte drejtues i spitalit në Omsk, për opinionin u bë i njohur pasi që refuzonte dhënien e lejes për transferimin e Navalnyit për mjekim të mëtejmë në Gjermani, si dhe kishte hedhur poshtë dyshimet se kritiku i Kremlinit ishte helmuar, duke deklaruar se opozitari rus kishte çrregullim metabolik.

Falsifikimi i diagnozës dhe deklarimi i rrejshëm se Navalny nuk ishte i helmuar, si duket i janë shpërblyer Murakhovskyit, i cili kishte drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë për rajonin e Omskit.

Bazuar në trendin se si gradohen personat besnik të Vladimir Putinit, besohet që në zgjedhjet lokale ose edhe ato parlamentare Murakhovsky do të ishte pjesë e listës së partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar.

Përveç zhdukjes së tij, brenda këtij viti kanë vdekur edhe dy mjekë të të njëjtit spital ku ishte pranuar Navalny.

Në muajin shkurt, zëvendësshefi i të njëjtit spital, Sergey Maximishin ka vdekur “papritmas” në moshën 55 vjeçare.

Lexo po ashtu Putin shpërblen mjekun që kishte falsifikuar diagnozën e helmimit të Navalnyit

Ndërsa, në muajin mars, shefi i Departamentit të Urgjencës të të njëjtit spital, Rustam Agishev vdiq në moshën 63 vjeçare.

Pas transferimit të Navalnyit për mjekim në Gjermani dhe pas dërgimit të analizave në disa laboratorë prestigjioz, u bë e ditur se kundërshtari i Putinit ishte helmuar me Novichok, helm i cili ishte përdorur më herët nga Shërbimi Ushtarak rus i Inteligjencës (GRU), si në rastin e Sergey Skripal në Londër dhe kundër biznesmenit bullgar Emilian Gebrev. /Telegrafi/

Exit mobile version