Site icon Telegrafi

Brenda shtëpisë muze të Ismail Kadaresë (Video)

Gjirokastra apo qyteti i gurtë, siç njihet, është qytet muzeal, që karakterizohet për trashëgiminë e pasur kulturore, falë së cilës është bërë pjesë e listës së mbrojtjes së UNESCO-s.

Përveç që shquhet me historinë e pasur dhe civilizimet e shumta që kanë lënë gjurmë në të, nga ky qytet kanë dalë edhe emra të njohur si: Eqrem Çabej, Musine Kokalari e Ismail Kadare. Madje, nga ky qytet vjen edhe ish-diktatori shqiptar, Enver Hoxha, transmeton Koha.net.

Nga përshkrimet e Kadaresë tashmë të përkthyera në disa gjuhë, bota njohu qytetin e gurtë, e në veçanti “Sokakun e të marrëve”, ku luante shkrimtari gjatë fëmijërisë së tij, dhe “Lagjen e Palortos”, ku edhe ndodhet shtëpia e tij, shumë pranë “Sokakut të të marrëve”.

Shtëpia muze e shkrimtarit Kadare, e cila ishte djegur në vitin 1999, tashmë është restauruar, ndërkaq përurimi është bërë në fund të muajit janar, për nder të 80-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë dhe që nga ajo kohë është e hapur për vizitorë.

Shtëpia-muze e Kadaresë u bë e njohur sidomos nga romani i tij “Kronikë në gurë”, në të cilin autori përshkruan shtëpinë dhe shpalos fragmente të jetës së tij, gjatë kohës sa jetonte në të.

Që kur është hapur për vizitorë, shtëpia e Ismail Kadaresë, tashmë e restauruar në frymën e shtëpive gjirokastrite, është bërë më e vizituara nga turistët, e veçmas nga ata, që janë njohur me të nëpërmjet përshkrimit të shkrimtarit tonë, me më së shumti vepra të përkthyera në gjuhë të huaja.

Exit mobile version