Kaos, shpërthime, të shtëna armësh dhe trupa që kalben mes mbeturinave – mirë se vini në qytetin më të rrezikshëm në Tokë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince, që është një qytet i shkatërruar, i rrethuar nga bandat e armatosura rëndë dhe trazirat e vazhdueshme politike.
Haiti e ka vuajtur prej kohësh titullin e kombit më të varfër në hemisferën perëndimore dhe kryeqyteti i mbushur me krime bart peshën kryesore të krizave të mbivendosura.
Tërmetet e vazhdueshme, inflacioni në rritje, trazirat civile, uria dhe një kolaps pothuajse total politik, të gjitha godasin Port-au-Prince.
Megjithatë, armiku i tij më i madh janë 200 bandat e armatosura të pamëshirshme që shkaktojnë terror, dhunë seksuale, tortura dhe paligjshmëri.
Ekspertët kanë thënë për “The Sun Online” se kriza tashmë është në “pikën më të nxehtë” pasi deri në 20 njerëz vriten në ditë nga një valë vrasjesh, përcjell Telegrafi.
Më e rrezikshmja prej këtyre bandave është i ashtuquajturi “koalicioni G9” i udhëhequr nga një kryekomandant i njohur si “Barbecue” – që përflitet se e ka fituar pseudonimin e tij për djegien e viktimave të tij.
Atje, fraksionet ndërluftuese e kanë ndarë qytetin dhe e kanë kthyer çdo ditë në një vend ku bëhet një luftë për mbijetesë.
Vakumi institucional në shërbim të bandave
Haiti mbeti i tronditur nga vrasja ende e pazbardhur e presidentit Jovenal Moïse në korrik të vitit 2021, e cila e zhyti vendin në paqëndrueshmëri dhe trazira të mëtejshme.
Dhe pa asnjë qeveri funksionale, një vakum pushteti ka mbetur pas – gati për t’u shfrytëzuar.
“Dhuna e armatosur ka arritur nivele të paimagjinueshme dhe të patolerueshme”, paralajmëroi botën në maj Michelle Bachelet, shefja në largim për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Tani, OKB-ja parashikon që bandat vdekjeprurëse kontrollojnë 60 për qind të Port-au-Prince – patrullojnë dhe barrikadojnë rrugët e tij dhe terrorizojnë popullsinë e qytetit.
“Fenomeni i bandave është kthyer në një kancer të metastazuar ku ata kontrollojnë kryeqytetin në të gjitha periferitë e tij”, ka thënë Dr Djems Olivier nga Universiteti Vincennes-Saint-Denis, i specializuar në bandat e Haitit.
Ai tha se kryeqyteti në rrënim është shndërruar në një “metropol të barrikaduar” nga milicia e armatosur, e cila ka “të drejtën e jetës dhe vdekjes mbi të gjithë popullsinë”.
Valët e reja të luftës së bandave çuan në një verë dhune në vitin 2022, ndërsa bandat luftuan mbi territorin dhe përleshjet shpërthyen në mënyrë të egër, duke u përhapur në zonat më parë paqësore.
OKB-ja dokumentoi mbi 1,300 vrasje, plagosje dhe zhdukje midis qershorit dhe shtatorit, duke arritur në rreth 20 të vrarë në ditë në kryeqytet dhe mijëra të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre.
Por fuqia dhe dhuna e tyre është shumëfishuar duke u organizuar në “koalicione të ashpra territoriale”, më të mëdhatë prej të cilave janë G-9 dhe G-Pèp.
Këto forca gangstere imponojnë llojin e tyre të qeverisjes kriminale në qytet. Midis tyre zhvillohen betejat më të ashpra.
Dhe, për ata që janë bllokuar brenda territorit të kontrolluar nga bandat, rreziku qëndron në çdo cep.
Veç këtyre, rrëmbimi për shpërblim është një kërcënim i vazhdueshëm, ndërkohë që betejat me armë zhvillohen hapur nëpër rrugë, duke vrarë këdo që “kapet nga zjarri”.
Renata Segura, zëvendësdrejtoresha e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Amerikën Latine dhe Karaibe, tha për The Sun Online: “Ka një pikëpyetje të madhe se çfarë do të ndodhë kur të dilni nga shtëpia juaj çdo mëngjes.”
Është një qytet, tha ajo, ku njerëzit e zakonshëm përdoren si “mburoja njerëzore”, të vrarë, të zhvatur, me bizneset e tyre të grabitura dhe shtëpitë e tyre të djegura.
“Fëmijët mund të goditen nga një plumb kur janë rrugës për në shkollë”.
Siç vënë në pah mediat, përcjell Telegrafi, si kryesori i kësaj stuhie është Jimmy Cherizier, i njohur si Barbecue – kryekomandant luftarak brutal i koalicionit G9.
Ai e imagjinon veten si një “revolucionar”, një “burrë i popullit” i vetëshpallur që bën luftë kundër elitës.
Megjithatë, metodat e tij përfshijnë vrasjen, gjymtimin dhe zhvatjen e kujtdo që nuk ka fat që të bjerë nën kontrollin e tij.
Por ai mohon se pseudonimi i ka ardhur nga vënia e zjarrit viktimave të tij, përkundrazi pretendon se vinte nga mamaja e tij që ishte një shitës ambulante e pulave të skuqura.
Barbecue ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me masakrat tmerruese të të varfërve në vitet e fundit, duke përfshirë vrasjen katër-ditore të vitit 2018 të 71 njerëzve në lagjen e varfër të La Saline.
Të fuqizuara nga kjo liri, bandat kanë aftësinë ta gjunjëzojnë Port-au-Prince dhe ata e kanë përdorur atë.
Në një shfaqje të egër fuqie, ata e ndërprenë vendin nga furnizimi i nevojshëm i karburantit. Veç kësaj, ata paralizuan qytetin duke parandaluar shpërndarjen e ushqimit, ujit dhe ilaçeve jetësore dhe e zhyti vendin në një krizë më të thellë humanitare. /Telegrafi/