Telegrafi

Brenda pesë viteve, 316 kosovarë pjesë e luftave në Lindjen e Mesme (Video)

Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, thotë se duke marrë parasysh numrin e qytetarëve të Kosovës, që janë bërë pjesë e luftave në territoret e Lindjes së Mesme,ata  janë kryesisht nga Ferizaj, Gjilani, Prishtina dhe Mitrovica.

“Në parim veprimet tona janë të përfshira në gjithë territorin e Kosovës. Por nëse marrim parasysh historikun e qytetarëve tanë që kanë qenë pjesë e atyre territoreve të Lindjes së Mesme, më të prekur janë vendet si: Ferizaj, Gjilani, Prishtina, Mitrovica”, tha Hoxha në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

Tutje Hoxha thotë se Policia e Kosovës e ka nën kontroll gjendjen e sigurisë në vend dhe, sipas tij, siguria në Kosovë është stabile.

“Policia e Kosovës e ka përqafuar konceptin e policimit të udhëhequr nga intelegjenca. Ne kemi marrëveshje me shumë shtete. Policia e Kosovës e ka nën kontroll gjendjen e sigurisë në çdo aspekt”, shtoi Hoxha.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, bëri të ditur se gjatë viteve 2012 deri në 2017, 316 qytetarë janë bërë pjesë e luftrave në Lindjen e Mesme.

Hoxha foli edhe për migrimin ilegal, fletëarrestet e INTERPOLIT dhe sigurinë në Kosovë.